Për nderë të ditës së tokës, përfaqësues të organizatës “7 Arte” (Kumrije Kelmendi Aliu e Lulzim Hoti ) mbajtën një prezantim edukativ për nxënësit e klasave I, II, III, IV dhe V në shkollën “Nonda Bulka” në Mitrovicë. Pas një ore mësimi ku nxënësit bashkë me mësueset kishin folur e punuar vizatime të ndryshme rreth ruajtjes së tokës, gatishmëria për të mësuar më shumë nuk mungonte. Me një prezantim të dizejnuar për fëmijë, tema në fjalë thuajse zgjoi kurreshtjen e secilit nxënësë.
Duke besuar në njohuritë dhe kreativitin e fëmijëve, gjatë këtij takimi u diskutua rreth rreziqeve që i sjellë ndotja e mjedisit, si dhe rreth mundësive që egzistojnë për të përmirësuar gjendjen në mjediset ju jetojmë dhe veprojmë. Kërkesat e fëmijëve për të pasur një park në mes të qytetit, për të pasur një ditë pa vetura, lumenj të pastër e mbrojtje të kafshëve, si dhe shumë ide tjera, shpreheshin me aq seriozitet saqë rrallë herë e gjejmë edhe në mesin e të rriturve. Besimi që kishin në vete dhe në idetë e tyre, shpesh herë i vënte në situata kur thonin se do ta regjistronim një organizatë jo-qeveritare për të punuar rreth vetëdijësimit të qytetarëve, apo edhe për të ndërmarrë aktivitete tjera mjedisore. Në fund fare, bashkarisht u pajtuam se tash e tutje do angazhohemi që së pari të themelojmë “Klubin e gjelbër” pranë shkollës “Nonda Bulka”, prej të cilit klub do të adresojmë brengat e tyre tek vendimarresit, si dhe do të ndërmarrim aksione të ndryshme mjedisore.
Takimi në fjalë ishte organizuar në bashkëpunim me mësuesen Lumnije Ramaxhiku si dhe kishte gjetur mbështetjen e drejtorit të shkollës. Zgjuarsia dhe ndjenja e qytetarisë aktive që shfaqej në mesin e këtyre fëmijëve, na frymëzoi edhe më tej, si dhe na dha shpresë se me këto gjenerata, se Kosova do ta ketë një të ardhme më të ndritshme sa i përket ruajtjes së mjedisit dhe përmirësimit të saj, një vlerë e përbashkët që bashkon njerëzit kudo në botë.