Sot me 2 Qershor 2016, organizata kulturore 7Arte bëri hapjen e projektit “Zhvillimi i politikave kulturore në Komunën e Mitrovicës”, i cili do të implementohet gjatë muajve Qershor 2016 – Maj 2017.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, shoqerisë civile, dhe artistë të pavarur nga Komuna e Mitrovicës. Drejtori i 7Arte z.Lulzim Hoti theksoi se projekti synon të rrisë rolin e të rinjëve dhe qytetarëve në proceset vendimmarrëse drejt përpilimit të politikave të reja publike për kulturë dhe turizëm me qëllim të një zhvillimi të qëndrueshëm të rajonit të Mitrovicës. Projekti do të dal me rezultate si: Nxitja e debatit konstruktiv në mes SHC dhe institucioneve në komunën e Mitrovicës Jugore, gjithëpërfshirja e qytetarëve në hartimin e politikave kulturore në komunën e Mitrovicës Jugore, dhe hartimi dhe publikimi i strategjisë për zhvillim të kulturës dhe turizmit në Mitrovicë 2017 – 2021. Z.Hoti shtoi se në kuadër të projektit do të mbahen aktivitete si: punëtori, fokus grupe, debate publike, konferencë, për të arritur deri tek hartimi dhe miratimi i Strategjisë për Kulturë e Turizëm. Ndërkaq drejtori i DKRS-ës, z.Tafil Peci mbështeti këtë nismë duke e konsideruar si shumë të nevojshme për zhillimin e kulturës në Komunën e Mitrovicës, njëherit ftoi të gjithë akterët e institucioneve varëse të DKRS-ës, si dhe të shoqërisë civile, që të luajnë një rol sa më konstruktiv e gjithpërfshirës drejt hartimit të strategjisë në fjalë.
Me rastin e fillimit të projektit u bë edhe nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit në mes të organizatës kulturore 7Arte dhe Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, me ç’rast DKRS u zotua se do të jetë një partner kyç i këtij procesi duke ofruar mbështetjen me kuadro profesionale e logjistike, dokumentacionin e nevojshëm, si dhe me avokimin drejt miratimit të strategjisë nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës.
7Arte si sekretariat i rrjetit të organizatave kulturore (RrOK) të Mitrovicës, me ndihmën e partnerëve, institucioneve relevante dhe artistëve të pavarur, do të jetë e hapur për bashkëpunim dhe gjithëpërfshirje të qytetarëve, me qëllim që projekti në fjalë të ketë ndikim pozitiv si në nivelin lokal ashtu edhe në atë kombëtar.
Ky projekt/program është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).