Organizata 7Arte mbajti konferencën “Prezantimi i draftit të strategjisë për kulturë dhe turizëm 2018-2022”, që njëherit shënoj edhe përmbylljen e projektit një vjeçar “Zhvillimi i politikave kulturore në Komunën e Mitrovicës”. Ky projekt synoi të rrisë rolin e të rinjëve dhe qytetarëve në proceset vendimmarrëse drejt përpilimit të politikave të reja publike për kulturë dhe turizëm me qëllim të një zhvillimi të qëndrueshëm të rajonit të Mitrovicës.
Në konferencë morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, shoqërisë civile dhe studentë. Konferenca u hap nga drejtori i organizatës 7Arte z.Lulzim Hoti, i cili njëkohësisht prezentoi procesin dhe metodologjinë e zbatuar për të arritur deri në hartimin përfundimtar të draft-strategjisë për kulturë dhe turizëm 2018-2022. Përgjatë konferencës u diskutua përmbajtja e draftit të strategjisë, si dhe u potencua se sa i rëndësishëm është fuqizimi i sektorit të kulturës e turizmit për zhvillimin ekonomik të një qyteti. Pas fjalës përshëndetëse të nënkryetarit Z.Faruk Mujka, drejtori i DKRS z.Fidan Ademi u zotua që do të angazhohet maksimalisht drejt miratimit të draftit të strategjisë nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës.
Procesi i hartimit të draft-strategjisë për kulturë e turizëm kishte përfshirë më shumë se 200 qytetarë të angazhuar drejtëpërsëdrejti në dyzet (40) takime dhe debate publike mbi zhvillimet kulturore në Komunën e Mitrovicës.
Ky projekt filloi të zbatohet një vit më parë, pas arritjes së marrëveshjes për bashkëpunim në mes të 7Arte dhe Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport.
Ky projekt/program është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).