Menu

“Strategjia për Kulturë e Turizëm” do implementohet nga viti vijues

OJQ 7Arte organizoi debatin publik me temën “Strategjia për Kulturë e Turizëm – çka tutje?” në ambientet e sallës së sekretarisë së Kuvendit Komunal, me panelistët z.Tafil Peci, Drejtor nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, si dhe z.Shukri Gashi, Drejtor nga Drejtoria e Financave.

Debati kryesisht u fokusua në mënyrat se si do të rrjedhë implementimi i strategjisë në fjalë, me theks të veçantë në vitin vijues. Sipas drejtorit të DKRS-së, z.Tafil Peci që nga viti 2019 do filloj procesi i implementimit të strategjisë. “Do të mundohemi të implementojmë strategjinë në ato pika ku nuk parashihen implikime buxhetore. Mirëpo, edhe ato pika të cilat kanë implikim buxhetor, do t’i analizojmë konkretisht në mënyrë që të gjejmë metoda të zbatimit, ngase buxheti për vitin 2019 është më i vogël për DKRS-në”, u shpreh Peci, duke shprehur se DKRS e ka problem të alokoj mjete nga drejtoritë tjera, për shkak se ato janë më të domosdoshme për dikasteret respektive.

Nga ana tjetër, z.Shukri Gashi shpjegoi se përkundër faktit të formulave përllogaritëse të ndarjes së buxhetit nga niveli qëndror në nivel lokal, Komuna e Mitrovicës së Jugut në tërësi për subvencione posedon 530 mijë euro për 71 mijë banorë, dhe se për çdo vit do të ketë zbritje të buxhetit në nivel komunal. “Buxheti i Kosovës ndanë vetëm 25% të shumës për të gjitha komunat. Ndërsa, 89 % të buxhetit ndahet në bazë të banorëve, kjo formulë përllogaritëse aktuale që përcakton ndarjen e buxhetit në nivel vendi. Megjithatë, ne kemi arritur që në kuvendin komunal të i shtojmë edhe 10 mijë, nga se 50 mijë euro të ndara nga granti qeveritar u konsideruan jo të mjaftueshme konform kërkesës së drejtorisë në fjalë”, potencoi Gashi, ku sipas tij, të gjitha drejtoritë të cilat kanë propozuar buxhetin për vitin 2019, thuajse 90% prej tyre janë aprovuar. Në mes tjerash u diskutua edhe për problemet e shumta në infrastrukturën kulturore, mungesën e kuadrove profesionale, e të drejtorëve në institucionet varëse të kulturës.

Me këtë konstatim, drejtori për kulturë z. Tafil Peci shtoi se: “Problemet e cekura në sektorin e kulturës dhe sektoret tjera në drejtorinë që udhëheqi unë nuk janë probleme që u krijuan sot, mirëpo janë probleme të krijuara 15 vite më parë. Drejtoria jonë ka planifikuar buxhetin deri në 300 mijë euro, mirëpo qarkorja buxhetore që na vie direkt nga niveli qëndror na bazon të limitohemi në shumën prej 60 mijë euro, sepse kërkesat tona ishin më të mëdha. Megjithatë, në fazën e planifikimeve të vitit të ardhshëm do të tentoj të ngris buxhetin edhe për 50 mijë më shumë”, duke apostrofuar se “në rast se nuk arrij këtë, do shkoj në shtëpi”.

 

Ndër të tjera u diskutuan edhe tema sikurse, dhënia në menaxhim e objektit të qendrës së kulturës për organizatat e shoqërisë civile në formën e partneritetit publiko-shoqëror, kjo sipas drejtori Peci “do të ishte model i mirë, mirëpo duhet paraprakisht të rregullohet situata me teatrin e qytetit, ansamblin e qytetit, galerinë dhe institucionet të cilat shfrytëzojnë hapësirat në objektin e qendrës së kulturës. Derisa, momentalisht mund të nisim procesin për menaxhimin e kinemasë”.

Krejt në fund, por jo për nga rëndësia, u trajtua tema e turizmit nga z.Fidan Abazi, i cili shprehu gatishmërinë për bashkëpunim në këtë fushë. “Debati i sotëm, më shumë zuri vend kultura gjatë diskutimeve, kurse turizmi më pak. Ne jemi të interesuar të bashkëpunojmë me idetë tona, vetëm na duhet përkrahja nga ana e DKRS, në rastin konkret për markimin e lokacioneve turistike në qytetin e Mitrovicës e posaçërisht në viset rurale, ku komuna jonë është e vetmja që ende nuk e ka nisur këtë proces. Ne jemi të gatshëm edhe vullnetarisht të nisim procesin e markimit në dy forma: markimin fizik dhe digjital. Mirëpo jemi të brengosur kah ana ligjore, a na lejohet të nisim këtë proces?”.  Në përgjegjje të kësaj, drejtori Tafil Peci u shpreh: “Ne si DKRS së bashku me ju, por edhe me drejtoritë tjera, si Drejtoria për Planifikim e Urbanizëm dhe Drejtoria e Shërbimeve Publike të ulemi së bashku dhe t’a koordinojmë mirë këtë proces, me marrëveshje ta bëjmë edhe markimin e zonave turistike, natyrisht edhe në bashkëpunim me zyrën ligjore të komunës së Mitrovicës”, përfundoi Peci.

Ky njëherit ishte debati i fundit në kuadër të projektit Zhvillimi i strategjisë së 7 Arte, qëllimi i të cilit është “Shoqëri mirë e informuar dhe demokratike, si dhe krijimi i hapësires dhe mundesisë për artistët Kosovarë që të zhvillojnë dhe promovojnë artin dhe kulturën”.

…………….

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Share this Post!

About the Author : 7 Arte


Related post

  TOP