Menu

Tfillimi përkundrejt pështjellimit

Arsim Canolli


Me tfillue, do të thotë me i nisë gjërat; me vendos diçkafin, por edhe veten apo
tjetrin, në drejtim, vend apo kohë të duhur. Në traditën popullore është përdorur mjaft
shumë fjala “me tfillue punën”, “me tfillue venin”, “me u tfillue marë”, “ka marrë e ka
tfillue”, “i tfillueshëm”. Ai që tfillon, nuk rrin, nuk ndalet; punëtori tfillon, dembeli
pështjell. Përkundrejt tfillimit rri pështjellimi. Tfilluesi është heroi i jetës, ai është
prijësi.
“Mos u pështill, nisja e tfillo diçka” thuhet në popull. Tfillimi merr kuptimin e
nisjes së punës me idenë e vendosjes së gjërave në rend, në vijë, në zhvillim, në
udhë të mbarë. Në konceptin e tfillimit, mishërohet ideja e “rendit” dhe “ritmit”; kur
diçka tfillohet ajo niset në lëvizje të mbarë, pothuajse sekuencore, merr ritëm të ri
dhe vendoset në një rend strukturor. Në “tfillimin e gjërave”, ekziston një racio
universalis, një lloj ideje e mbarësisë së gjërave, që është sa e përgjithshme dhe
prezente te të gjitha kulturat, aq e veçantë dhe merr konotime specifike në një
kulturë specifike. Tfillues është secili që guxon të hapë shteg të ri, të ballafaqohet me
rrezikun, të hyjë në zemër të kaosit të gjërave dhe t’i vendosë ato drejt rregullit.
Tfilluesi është heroi universalis me një mijë fytyra kulturalis, siç do të thoshte Joseph
Campbell.


Tfilluesi është prijësi që ballafaqohet me pasigurinë, ligësinë, të panjohurën,
kaosin, mykësinë, arrogancën, padrejtësinë, anarkinë. Tfilluesi çelë udhë, kur
pështillen gjërat. Tfilluesi është lundërtari që synon bregun e thatë, për të dalë nga
furtunat e ujërave të dallgëta. Tfilluesi është krijues, tfilluesi është poet, tfilluesi është
lavërtar, tfilluesi është administrator, tfilluesi është biznesmen, tfilluesi është
politikan, tfilluesi është shpikës. Tfilluesi nisë jetë të re. Tfilluesi lufton të kthejë
rendin e jetës e gjërave ekzistuese. Tfilluesi synon të ruajë harmoninë ekzituese nga
kanosja, nga prishja. Tfilluesi nuk shkatërron, por tfillon, zgjidhë, çkatërron, prin.
Tfillimi është siguri, sepse kur tfillohen gjërat marrin udhën që konsiderohet të
jetë “e duhur”. Cila është udha e duhur, cila është mënyra e duhur? Quo vadis? Pa
dyshim se tfillimi është koncept i etikës së jetës, lirisë së konceptuar sipas një kodi
apo ligji specifik, sepse kur nisin gjërat, ato nisin e shkojnë përpara, duke përcjellur
një fije, një fill, një rend. Me tfillue nuk do të thotë: “shkatërro e nisë prej fillimi”.
Tfillimi nuk është ideologji revolucionare; tfillimi nuk duron radikalizmin apo
ndryshimin rrënjësor të gjërave sipas një “dije” apo “racio” të kulluar nga mendimi i
paprovuar. Të paktën kështu nuk kuptohet në gjuhën shqipe. Tfillimi është vendosja
në levizje e gjërave për të kthyer harmoninë, për të kthyer rendin. Tfillimi vjen nga
intuita logjike. Por, tfillimi kuptohet edhe si nismë e re; jo nismë arbitrare, por nismë
që ndryshon gjërat duke përmirësuar, duke ruajtur diçka. Askush nuk pret prej
tfilluesit shkatërrim në emër të krijimit, por ndryshim në emër të rikrijimit. E rikrijimi
gjithmonë nisë mbi diçka.


Vetë fjala “tfillim” ka origjinë nga fjala “fill/fije”, që në gegnishte është ruajtur
në formë të vjetër, por ekziston edhe metateza “ftilloj” apo “ftillim” në gjuhën e
unisuar, duke pasur të njëjtin kuptim. Kjo fjalë është mjaft e pranishme në gjuhën e
përditshme, por hetohet edhe në literaturën e vjetër, te autorët klasikë, si te Pjetër
Budi për shembull, ku thuhet “mirë me tfilluom e me dëlirunë…”, te Gjon Nikollë
Kazazi “me tfilluem”, por edhe te epika e kreshnikëve “Prej Jutbine Muja â tfillue”. E
kemi edhe si koncept të përdorur te tekstet e shenjta, për Hyjin si “Tfillues i tokës
dhe qiejve”.


Tfillimi është një koncept moral, sepse “me tfillue” do të thotë me i vendosë gjërat në
atë drejtim. Tfillimi nuk është vetëm fjalë teknike, siç tentohet të kuptohet shpesh.
Nuk është vetëm “menaxhim”. Tfillimi është më shumë vendim moral e etik, si në
aspektin individual ashtu edhe në atë kolektiv. Tfillimi kthjellon mendjen, shpleks
botëkuptimin, sepse kur tfillohen gjërat imagjinatës sonë i sendërtohet panoramë
bindëse për paqen, për sigurinë, për mbijetesën, për solidaritetin. Mendja e tfillueme
është mendje e hamonizuar mes racionales dhe iracionales, ndërsa mendja e
tendosur është mendje e zhytur në mendime të pështjella. Por, thënë në vargjet e
Pjetër Budit “me tfilluom e me dëlirunë”, tfillimi është një spastrim, një nisje drejt
autenticitetit të gjërave, sikurse paramendohet në gjendjen ideale. Njeriu është
gjithmonë në kërkim të tfillimit të unit të tij.


Tfillimi është kthimi te shtëpia, te identiteti, te vetja.Tfillimi është esencialisht
koncept pohues, ndërtues, restaurues, vitalizues. Tfillimi nuk mbaron kurrë, sepse
jeta është dinamike, e gjallë, e cenueshme, e vrazhdë, ngatërruese, etj. Ideja e
tfillimit banon te ne, sikurse ideja e mbijetesës, sepse njeriu gjithmonë dëshiron të
vazhdojë, të mbijetojë, të riprodhojë veten, ashtu sikurse dëshiron të krijojë harmoni,
të tfillojë gjërat së mbari, të ndërtojë vend prehës për syrin e tij. Tfillimi është impuls i
thellë në mendjen e zemrën e njeriut, një vulë e pashlyeshme e motivimit njerëzor,
për të vazhduar, për të mos u ndalur e për të krijuar.


Tfillimi është koncept estetik; afshi i kërkimit të së bukurës rreth nesh, sepse
duam t’i shohim gjërat në simetri, por edhe në asimetri unike. Në fakt, ndoshta arti
është tfilluesi më i denjë i njeriut, sepse ia kujton atij se sa e shtrenjtë është
dashuria, sa e çmueshme liria, sa e nevojshme barazia, sa e dëshirueshme
pavarësia. Arti e grish njeriu në tfillime të reja botëkuptimore, në fisnikërim të shpirtit
e mendjes, në “dëlirje” të zemrës. Arti synon gjendjen e një të vërtete ideale. Pra, arti
tfillon njeriun me marrë në sy idealen, mos me u ndalë asnjëherë në kërkim të saj.
Në kohën tonë kemi nevojë më shumë se kurrë të tfillohemi drejt ruajtjes së
asaj që kemi. Bota po bëhet një artefakt i madh, i gërryer e i sakatosur, i prerë e i
gjakosur, i vrarë e i plagosur, i shfrytëzuar dhe i plandosur. Uji dhe toka, ajri dhe
zjarri kanë nisur një martesë të re. Kjo, sepse zjarri teknologjik ka filluar të kaplojë
elementet tjera: ndot ajrin, pakëson ujin dhe dhe shkrumon tokën. Zjarri ka
ndryshuar paradhësit tanë dhe botën e tyre, zjarri teknologjik do të na ndryshojë dhe
botën tonë. A kemi nevojë për një tfillim të natyrës apo mjedisit? Po, por, ndoshta
kemi nevojë për një tfillim të mendjes për natyrën e mjedisin. Kemi nevojë për tfillim
të mendjes individuale dhe kolektive, për një tfillim etik të raportit tonë me natyrën,
me jetën, me trashëgiminë tonë kulturore. Natyra është kulturore – jo vetëm
natyrore. Andaj, natyra është esencialisht trashëgimia jonë natyrore e kulturore.
Njeriu gjithmonë është tfilluar apo ka tfilluar gjërat kur i është kanosur rreziku
apo ndëshkimi. Por, në kohën tonë, ideja e tfillimit është ide demokratike: si grup
tfillojmë mënyrën e të bërit politikë, mënyrën e rregullimit të jetës sonë në raport me
natyrën tonë përreth. Dhe, pa dyshim se mund të jetohet edhe pa ndryshime të
mëdha në mënyrë se si e trajtojmë sot natyrën. Disi. Jo aq mirë, por disi. Ideja e
ruajtjes dhe trajtimit të duhur të natyrës e mjedisit, na e bën jetën më cilësore, më
estetike dhe më të vlefshme, për ne dhe pasardhësit tanë.


Duhet theksuar se po ashtu ekziston edhe ideja e gulçit për të tfilluar, që
përfundon në spektakël fjalësh. Si shtetet, si organizatat joqeveritare, si akademikët,
si të famshmit mediatikë, synojnë shpesh ndryshimet e tyre si sulme ndaj akëcilit
program, politikan apo regjim. Ka raste kur këto nisma gulçuese kanë efekt. Por,
efektin më të madh e ka puna konsistente, zgjidhjet reale të problemeve. Dhe, ato që
kanë efektin më të madh rrallë merren vesh, sepse nuk mediatizohen sa duhet.
Merre shembullin e Greta Thunberg-ut dhe Boyan Slat-it. Nxënësja 16 vjeçare ka
dashur ta vetëdijësojë botën për ndryshimet globale, duke folur e duke bërtitur.
Nxënësi 16 vjeçar, në heshtje, ka shpikur teknologji unike për pastrimin e oqeaneve
nga ndotja, nga mbeturinat plastike. Pa dyshim se secila nismë është e mirë, por
vëmendja jonë kolektive, shpesh ndalet te mesazhi spektakular e jo zgjidhja praktike
e problemit.


Secili politikan apo shërbyes publik premton se do të jetë “ndryshues” apo
tfillues i gjërave, do ta drejtojë timonin e anijes së shtetit kah bregu i premtuar, do të
bëjë ndryshime të kërkuara, sapo të marrë pushtetin. Por, dihet se premtimet për
tfillime politike shpesh nuk realizohen. Tfilluesi premtues shndërrohet në pështjellës
dështak. Shpeshherë premtuesit për tfillime politike, kur dështojnë, nisin dhe
akuzojnë shtetin e shoqërinë si entitete që pengojnë vizionin e punën e tyre. Por,
këto janë pështjellime e jo tfillime. E tfilluesi i këtyre premtuesve pështjellues është
demokracia: rotacioni politik me votë të lirë.
Mendimi dekartian “mendoj, prandaj ekzistoj” është parë gjithmonë si ide
dualiste, që ndan mendjen nga trupi. Megjithatë, mendimi ekziston brenda trupit, në
simbiozë. Ekzistenca e arsyes arsyetohet vetëm brenda botës përreth, duke banuar
në të e duke e banuar atë. Koncepti tfillim nuk përkon krejt me filozofinë dekartiane.
Ky është koncept më i mishtë, më i dyllosur në realitetin e gjërave, më simbiotik.
Andaj, “tfilloj, prandaj ekzistoj” është premisë që duhet ta kemi në raport me natyrën,
me mjedisin, me kulturën tonë. Në botën e tejngrohur, tejpopulluar, tejngarkuar,
tejkomunikuese, ekzistenca jonë varet edhe nga shpikjet origjinare edhe nga tfillimet
praktike të kësaj bote.


Kumti i festivalit të sivjetshëm “Greenfest” në Mitrovicë është “tfillo”. Vetë
qyteti ka mbetur ende në pështjellim politik. Në një anë, ka nevojë për tfillime politike,
urbane, ekonomike e të tjera. Në anën tjetër, ekziston edhe pasioni i madh i qytetit
për të tfilluar qytetarinë mitrovicase. Skena kulturore e qytetit, nismat e vogla
subkulturore, grupet artistike, bizneset inovative, individët pasionantë janë shpresa e
Mitrovicës për tfillime të reja. Ata janë këtu për të vazhduar punën e tfilluar jetën në
këtë qytet.


Tfillimi dhe pështjellimi janë si nata dhe dita. Ato kanë nevojë për njëra-tjetrën.
Sepse njeriu ka gjithmonë sfida e probleme që duhet zgjidhur. Ka gjithmonë nevojë
për tfillime. Edhe individët si njësitë më të vogla, edhe qytetërimet si grupacionet më
të mëdha historike, janë gjithmonë në përpjekje për tfillime prej të të gjitha llojeve.
Pasioni për të tfilluar është esenca e krijimit kulturor, zhvillimit politik, mirëqenies
ekonomike, shërimit kolektiv, fisnikërimit artistik. Tfillimi është imuniteti që krijohet
ndaj pështjellimit imanent.

Share this Post!

About the Author : 7 Arte


Related post

  TOP